Kollitja është një refleks mbrojtjeje i rëndësishëm. Ajo shkaktohet nga irritimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe vepron si një funksion mbrojtës i trupit, për të pastruar rrugët tona të frymëmarrjes nga irrituesit si pluhuri, patogjenët, substancat e dëmshme ose trupat e huaj. Kollitja është gjithashtu simptomë e zakonshme në sëmundje të ndryshme – në disa më pak serioze, si ftohja e zakonshme, bronkiti, por edhe në disa më serioze, si pneumonia, astma, mpiksja e gjakut ose likidi në mushkëri. Kolla mund të klasifikohet sipas kohëzgjatjes (akute / subakute / kronike) ose nëse shoqërohet me ekskretim të mukusit/gëlbazës (e njomë ose produktive) ose jo (e thatë ose joproduktive). Normalisht, rrugët tona të frymëmarrjes prodhojnë një sasi të vogël mukusi për t'i mbajtur ato të lagura dhe për të ruajtur një shtresë të hollë që vesh pjesën e brendshme të bronkeve. Megjithatë, gjatë infeksioneve respiratore për shembull, mukoza mund të prodhohet me shumicë, duke u bërë sputum/gëlbazë si gomë dhe e vështirë për t'u nxjerrë jashtë nëpërmjet kollës. Nëse ndodh kjo, lëngëzimi dhe zbutja e saj mund të ndihmojnë me nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes, duke pastruar kështu kongjestionin dhe duke lehtësuar frymëmarrjen. Ka medikamente të disponueshme për këtë, të quajtura mukolitikë dhe ekspektorantë. Nga ana tjetër, një kollë e thatë nuk nxjerr mukus. Kjo është arsyeja pse një kollë e thatë mund të trajtohet me medikamente që shtypin refleksin e kollës.